Festë sulmi në miqësore, Mema: Në këtë lloj futbolli është e vështirë të fitosh ndeshjet rehat

Tirana ka mbyllur me një sukses 5-2 miqësoren ndaj Besëlidhjes, të cilën trajneri Mema e ka përdorur për të provuar një skemë ndryshe, me Ngo e Dungën përkrah nëjri-tjetrit. Një eksperiment që funksionoi pasi ekipi triumfoi 5-2 dhe të dy sulmuesit gjetën rrjetën.

Sipas Memës, kjo është një fitore që i ka dhënë indikacione për një lëvizje taktike që mund të përdorë në të ardhmen skuadra e tij në një kampionat të cilin ai para gazetarëve e cilësoi si të tillë ku nuk mund të fitoheshin ndeshjet lehtë.

“Ndeshjet miqësore për këtë punë janë, që të provosh edhe mënyra loje të tjera, përpos kësaj, edhe si shkojnë çiftet në reparte të ndryshme. Megjithatë, diçka fituam sot, nuk e them se çfarë por do të jetë pjesë e vazhdimësisë tonë. Se mund të kemi ndryshime edhe si pozicione, varet si sistem loje se do të kemi ndryshime nga një javë në tjetrën.

Mungesat? Doka kishte një sebep dhe i kam dhënë leje që dy ditë më parë, Osmani ishte i lodhur dhe Hasani kishte një shqetësim, menduam të ruanim lojtarët se na duhen për kampionat dhe gjykova të mos luanim sot.

Më shumë kemi parë veten tonë, se të jep kohë dyjavëshi i kombëtares për të parë veten dhe ecurinë si seanca stërvitore. Të them të drejtën më mungoi ndeshja këtë javë se patëm ritëm të mirë sa i përket fitoreve dhe me shqetësoi disi, por besoj se do të kapim përsëri ritmin që kishim.

Unë them që çdo ekip, kur i shohim ndeshjet, kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Por çdo ekip në Shqipëri po të jetë këmbëngulës, sidomos me të Tiranën janë të gjithë këmbëngulës dhe tregojnë veten, na nxjerr probleme. Nuk është e lehtë në këtë lloj futbolli të fitosh ndeshjet rehat, të shohim, javët do të tregojnë rezultatet e Tiranës.

Kupa? Varet se si do të jetë ecuria, më shumë i kemi mëshuar kampionatit dhe pastaj varet se kush është kundërshtari në kupë. Do të bëjmë çdo gjë për të fituar ndeshjen, qoftë edhe kundër Partizanit”, tha Mema. /vipsport.al/