EKSKLUZIVE/ U la jashtë nga Bushi, një tjetër talent i Shpresave kërkohet nga Kosova

Kombëtarja e Shpresave u grumbullua këtë javë për të zhvilluar dy ndeshje ku fillimisht u mund me rezultatin 4-0 në miqësore nga Franca, e më pas u mund 0-4 në ndeshje zyrtare nga Austria. Natyrisht, ndaj Austrisë pritej një paraqitje më dinjitoze, për me tepër pasi ndeshja luhej në shtëpi megjithatë kjo gjë nuk ndodhi.

Në listën e publikuar pak kohë më parë, vihej re se Alban Bushi kishte lënë jashtë një nga talentet e Shpresave, Agim Zekaj i cili aktivizohet në Eredivise, Superliga holandeze me skuadrën e Sitardit. Zeka që është bërë pjesë e skuadrës së parë të Sitardit dhe numëron disa ndeshje në elitën e futbollit holandez, ishte lënë jashtë nga Bushi, i cili u shpreh se ka marrë futbollistë më në formë por që realisht kishte lojtarë stoli nga liga më inferiore.

Sakaq, “VipSport.al” ka mësuar se nga kjo lënie jashtë, po mundohet të përfitojë Kosova. “Dardanët” kanë nisur të interesohen për sulmuesin e djathtë të Shpresave, duke synuar që ta afrojnë në skuadër dhe në fakt, nuk do të ishte hera e parë që do të merrnin një futbollist i cili nuk vlerësohet nga Shpresat.

Pak javë më parë, ishte Valdrin Mustafa ai që u largua por edhe Valon Hamdiu, Qëndrim Rizvani apo Arijan Qollaku janë në të njëjtat kushte, duke e parë veten larg kuqezinjve për shkak të neglizhencës së Bushit dhe stafit të tij. Largimi i një futbollisti si Zeka, do të ishte një humbje e madhe për Shpresat duke parë cilësitë e futbollistit, megjithatë gjithçka pritet të marrë një formë më të qartë gjatë ditëve në vijim. /Erjon Allaraj-VipSport.al/