Ekskluzive/ Kapiteni i Islandës: Donim ta linim Shqipërinë mbrapa, por i dha vetes një mundësi

Islanda kishte ardhur në Shqipëri me ide të qarta dhe synonte vetëm fitoren për të mbyllur në një farë mënyre rrugëtimin e Shqipërisë në këto kualifikuese. Megjithatë, kuqezinjtë arritën të fitonin dhe kapiteni i Islandës, Aron Gunarson u shpreh se me këtë fitore, kuqezinjtë i kanë dhënë vetes një mundësi.

Në një prononcim për “VipSport.al”, Gunarson shtoi se ndeshjet e fundit do të jenë vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe Islandës ndërkohë që shtoi se kjo humbje e ka vështirësuar jo pak rrugën e tyre.

“Ishte një ndeshje e vështirë, e dinim që do të ishte e tillë, e dinim që Shqipëria do të bënte gjithçka që të fitonte ndeshjen ndaj e prisnim të dilnin më shumë në sulm, të ishin ofensivë. Nuk ishim mirë sa duhet sot, për ta fituar këtë ndeshje dhe kur pëson 4 gola, nuk mund të fitosh një ndeshje në arenën ndërkombëtare jashtë fushës tënde.

Mendoj se Franca e Turqia me fitoret kanë pikë më shumë dhe besoj se do të vendoset në dy ndeshjet e fundit, do të jetë më  e vështirë për ne që të kualifikohemi pasi kemi një ndeshje shumë të vështirë përballë Francës dhe pastaj Andorrën e një ndeshje jetësore përballë Turqisë.

A do të jetë vendimtare ajo ndeshje? Po, mendoj se po, do të jetë një ndeshje e vështirë, një ndeshje për gjithçka ose asgjë për të dy ekipet ta shohim. Do të jetë në ndeshjen e fundit për çdo skuadër. Edhe Shqipëria i dha vetes një mundësi të mirë duke fituar në këtë ndeshje dhe janë përsëri në garë. Deshëm t’i linim pas por nuk ndodhi e tani janë përsëri në lojë”, tha Gunarson. /E.K-VipSport.al/