Ekskluzive / Josa zbërthen Olainkën: E prisja shpërthimin më herët, shpresoj të dalë edhe një sa gjysma e atij

Peter Olainka është një emër i dëgjuar shumë në Shqipëri duke qenë se shkëlqente dikur me fanellën e Bylisit dhe Skënderbeut duke shënuar e dhuruar spektakël. Edhe ata që ndoshta e kanë harruar, e kanë kujtuar mbrëmjen e djeshme falë golit që arriti t’i shënonte Interit në “San Siro”, duke i marrë barazim në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve.

Një nga njerëzit që e njeh më mirë Olainkën, është padyshim Mirel Josa i cili e ka stërvitur me Skënderbeun në vitet më të lavdishme të skuadrës korçare. Në një intervistë për “VipSport.al”, Josa ka vetëm fjalë të mira për të, duke e konsideruar një njeri me karakter më shumë se futbollist të mirë. Ai shprehet se priste që Olainka të shpërthente më herët, ndërkohë që suksesi aktual nuk e çudit aspak ish-trajnerin e tij.

Profesor, Olainka i shënon Interit ndërsa pak vite më parë stërvitej nga ju. Si e mbani mend si futbollist?
Ishte një lojtar i vlefshëm për ne kur e stërvita te Skënderbeu. Ai bënte dy fazat e lojës si mbrojtje dhe sulm dhes humb i përkushtuar. Këtë nuk e ka treguar vetëm në Korçë por edhe te Ballshi. Atij ia kishte vënë syrin presidenti që më para sepse ishte edhe karakter i mirë dhe kjo u duk nga momenti që shkoi dhe firmosi për skuadrën belge pasi iku nga ne. Ai kishte edhe 4-5 ndeshje që të përfundonte faza dhe u kthye direkt dhe luajti me përkushtim më të madh deri në ndeshjen e fundit të kampionatit ku u mundëm në Vlorë.

A e prisnit që do të ishte një lojtar, për të cilin të fliste Europa?
E prisja më para që të ishte këtu, që kur luante në Belgjikë sepse siç thashë luante në dy fazat dhe ka dy-tre pozicione. Në Çeki luan si lojtar krahu ndërsa dje luajti si qendërsulmues dhe një lojtar që luan kështu, preson i vetëm mbrojtjen dhe janë venat e një futbollisti të mirë.

A ndjeni se keni edhe ju një kontribut në suksesin e tij pasi e keni trajnuar?
Kanë më shumë drejtuesit e klubit dhe kam thënë se më duhet ky lojtar. Unë vetë nuk kam kontribut sepse është përgjigjur për kërkesat e trajnerit. E vlerësoj si karakter fillimisht dhe pastaj si futbollist. Ai mbylli kontratën në Belgjikë pastaj erdhi duke luajtur me nivel shumë më të mirë si në fillim, gjë e cila nuk ndodh dhe normalisht, do të ikte pas pak javësh.

A mendon se ka një Olainka tjetër në Shqipëri?
Nuk dua të merrem me krahasime me të tjerët por shpresoj që të dalë ndonjë lojtar tjetër sa gjysma e këtij futbollisti.

Çështja që diskutohet shpesh, është në lidhje me futbollistin e huaj më të mirë. A është Olainka më i miri?
Jam pyetur shpesh herë edhe për formacionin më të mirë që kam pasur, por unë nuk dua të bëj krahasime. Nuk më pëlqen të krahasoj futbollistët por mund të them se ky dhe Orelesi kanë qenë ndër më të mirët që kam stërvitur nga futbollistët e huaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/