Ekskluzive/ FSHF e mban të fshehtë, Luftëtari rrezikon shumë, Toledo nga Uruguaji bën me zemër bluzinjtë!

Luftëtari ka nisur që të funksionojë ndryshe këtë verë, madje duke ndryshuar drejtim dhe duke emëruar edhe drejtues të rinj, që nga aksionarët dhe presidenca por edhe administrator. Madje, në stafin e tyre kanë juristë dhe avokatë të zotë dhe kjo është një risi për futbollin shqiptar.

Por, në Gjirokastër nuk shqetëson vetëm ecuria jo e mirë deri më tani, ndonëse lojërat kanë ardhur në rritje. Prej muajsh, Federata shqiptare e futbollit por edhe klubi bluzi janë vënë në dijeni nga FIFA se duhet që të paguajnë një gjobë të majme pasi nuk kanë respektuar kuotat që duhet të paguanin për uruguaianin Bruno Toledo në klubin mëmë që ka investuar për formimin e lojtarit.Toledo ka qenë pjesë e bluzinjve në sezonin 2017-2018, një lojtar që luante si mbrojtës por që nuk la gjurmë në kampin bluzi ndonëse erdhi si blerje e bujshme.

Nga sa bëhet e ditur, drejtuesit bluzi janë vënë në dijeni për këtë gjobë qysh në sezonin e shkuar, madje “VipSport” bën me dije se bëhet fjalë për një shifër të majme që shkon sa gjysma e buxhetit të një klubi të Superiores. Nuk është rasti i parë që ndodh me ekipet tona që shpesh mashtrohen nga menaxherët dhe afrojnë futbollistë pa paguar në bazë të rregullave që ka vendosur UEFA dhe FIFA për transferimin e tyre!

E.S./Vipsport.al/