Edi Reja: Nuk mund t’i pranoj dy golat e pësuar, më shumë se fitorja më intereson grupi i krijuar

Pas humbjes në Francë me rezultatin 4-1, Edi Reja pranoi se kishte gabuar ai në formacion ndërkohë që në ndeshjen e radhës ndaj Islandës, ndryshimet rezultuan pozitive pasi mundëm Islandën me rezultatin 4-2. Në një prononcim për mediat, Reja u shpreh pas ndeshjes se më shumë se rezultati e kënaq skuadra dhe fryma e krijuar ndërkohë që u ndal edhe te golat e pësuar të cilët i konsideron të papranueshëm.

Besuat te Çikalleshi dhe ai e tregoi veten?
“Nëse ai do të luajë duhet të bëjë gola, të ndihmojë mesfushën e jo vetëm atë, edhe mbrojtjen, se ndryshe nuk luan me mua. Ai meqë është i fortë fizikisht, mund të bëjë këtë e më shumë, nuk ka luajtur kurrë në skuadrën e tij por sot bëri 90 minuta, luajti edhe në Paris dhe fizikisht është mirë, se është profesionist. Por duhet të bëjë më mirë se ka humbur sot disa topa më shumë”.

Por të gjithë luajtën mirë sot…
“Jo, mua përtej 4 golave që më kënaqin, nuk i pranoj dy golat, një gol nuk e pranoj, ai në fillimin e pjesë së dytë, një skuadër me vlerë nuk e pëson një gol të tillë se kemi komplikuar vetë jetën tonë kot, sepse pastaj ishte e vështirë të fitonim, pasi Islanda kishte cilësi fizike superiore ndaj nesh  dhe shihej, është një skuadër që kur hedh topin ën zonë nuk e di kurrë se çfarë ndodh sepse të vë në vështirësi. Por ne u treguam të aftë të mbanim kontrollin e topit. Kur shkuam në avantazh u treguam të aftë”.

A ishte e brishtë mbrojtja sot?
“Jo mbrojtja, sepse ajo është një gjë e gabimet individuale janë një gjë tjetër. Nëse shihni ndeshjet që kanë luajtur e që kanë fituar në shtëpi, kanë shënuar gjithmonë në goditje dënimi e goditje nga këndi se janë të fortë fizikisht nuk është e mundur të shkosh në fushë e të kesh të njëjtat karakteristika me ta. Ne e kemi përgatitur mirë ndeshjen, pastaj me raste gjërat mund të shkojnë keq. Por ajo që kishte rëndësi ishte të fitonim ndeshjen e pastaj të mund të thoshim fjalën tonë për Europianin. Nuk e di se çfarë do të ndodhë se pastaj me Turqinë do të jetë e vështirë, me Moldavinë do të jetë e vështirë. Të shohim dhe të bëjmë maksimumi e mundshëm”.

A ishte e rëndësishme kjo ndeshje për rinisjen për të kërkuar kualifikimin?
“Po, por mua nuk më intereson fitorja, më intereson më shumë shpirti i kësaj skuadre, reagimi, dëshira, lufton në çdo top. Kjo do të thotë të jesh skuadër. Ja, kjo është ajo që mund të them se ishte një “fitore” e imja sa i përket lojtarëve, raportit mes nesh, si punojnë, kjo është gjëja e bukur, jo fitorja, fitorja nuk më intereson sa raporti që është vendosur brenda grupit. Kjo do të thotë të jesh një skuadër dhe ne jemi një skuadër”, tha Reja. /VipSport.al/