Dy holandezët e ardhur me bujë po bindin te Luftëtari

Te Luftëtari, mes shumë afrimeve që u bënë gjatë merkatos së verës, ranë në sy edhe dy lojtarët holandezë, Cerezo Hilgen që luan para mbrojtjes dhe në mesfushë si dhe sulmuesi Angelmo Vyent të cilët u sollën në Gjirokastër nga menaxheri Bruno Dodi.

Madje, ky i fundit është shfaqur mjaft mirë në takimet e fundit dhe në Cërrik, në sfidën e Kupës së Shqipërisë pati meritë pasi fitoi edhe penalltinë që u kthye në gol nga Fili, duke i dhënë një hap të sigurt kualifikimit të skuadrës bluzi.

Ndaj Laçit në kampionat të dy holandezët u aktivizuan dhe duket se me ardhjen e trajnerit Marantas, ata janë duke e kapur formën e tyre më të mirë. Si Hilgen ashtu edhe Vyent shihen si dy pika tëë forta të skuadrës bluzi, ndërsa sulmuesi Vyent duket një lojtar teknik dhe i fizikshëm.

Në Gjirokastër presin shumë prej tyre, duke ditur edhe eksperiencën që kanë si futbollistë, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve që përfaqësojnë Luftëtarin janë me moshë të re.

E.S./Vipsport.al/