Duro për “VipSport”: Pushimi erdhi në kohën e duhur, deri më tani kemi qenë dominant ndaj çdo kundërshtari

Kukësi e nisi mirë kampionatin duke mundur Partizanin në javën e parë e Flamurtarin në javën e dytë por u ndalën në një barazim nga Laçi. Trajneri i verilindorëve, Shpëtim Duro beson se ky pushim për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, do t’i bëjë mirë skuadrave pasi vijnë nga një kalendar rraskapitës.

Në një intervistë për “VipSport.al”, trajneri Duro u shpreh se Kukësi ka qenë dominant deri më tani ndaj kundërshtarëve, ndërkohë që shpreson se me ardhjen në formë të disa futbollistëve të afruar së fundmi, skuadra do të jetë edhe më lart.

Profesor, 2 fitore dhe një barazim në 3 javët e para. Jeni i kënaqur me këtë ecuri?
Jam i kënaqur me ecurinë për kohen e shkurtër që kisha por dhe ndryshimet e fundit para kampionatit. Në të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar, kemi qenë ne skuadra dominante në fushë.

Sa i ka shërbyer skuadrës ky pushim pas vetëm 3 javësh kampionati?
Pushimi ishte i duhur se kalendari ishte rraskapitës. Për 12 ditë, kemi zhvilluar katër ndeshje por skuadra i ka përballuar mirë.

Çfarë pret ndryshe nga Kukësi me rikthimin në fushë?
Pres të arrijnë në formë maksimale lojtarët e ardhur me vonesë në ekip.

Pas miqësores së zhvilluar ditën e djeshme, çfarë kuptuat nga skuadra dhe sidomos nga të rinjtë?
Ndeshja miqësore vlejti shumë dhe më pëlqyen disa elementë të rinj që do të kenë ndoshta mundësitë e tyre në të ardhmen.

Kur mendon se mund ta shohim Kukësin e vërtetë?
Edhe deri tani, skuadra ka treguar vlera por më e rëndësishme është që të grumbullohen sa më shumë pikë

Emra të njohur në sulm e mesfushë. Sa vështirësi iu jep ky grup për të përzgjedhur titullarët?
Nuk kam asnjë lloj problemi për konkurrencën në ekip. /Erjon Allaraj-VipSport.al/