Disiplina vazhdon të gjykojë me dy standarde, shishet e Shkodrës “vlejnë” më shumë se 50 mijë lekë

Java e tretë e Kategorisë superiore, solli sërish akte dhune në stadiumet shqiptare aty ku ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës u ndërpre për shkak të hedhjes së shisheve në fushë nga tifozeria shkodrane. Ashtu siç pritej, Komisioni i Disiplinës është mbledhur për të dhënë vendimet në lidhje me këtë incident dhe pritej një dënim për klubin shkodran.

Mesa duket, në Komisionin e Disiplinës ka dy standarde në mënyrën si gjykohen incidentet. Vllaznia është dënuar me 4 ndeshje pa tifozë në shtëpi, por do të bëjë vetëm gjysmën e dënimit dhe do të luajë dy ndeshje, por me kusht pasi do të jetë në një provë 6 mujore. Sakaq, një javë më parë ishte tifozeria e Tiranës ajo që ndërpreu dy herë ndeshjen duke goditur asistentin me shishe, por u dënua me vetëm 50 mijë lekë gjobë.

Ndërkohë, rëndë e ka pësuar edhe futbollisti i Kukësit, Olsi Teqja për deklarata të dhëna në mediat dhe që shkojnë kundër interesit të FSHF-së. Mesa duket, përveç se gjykohet me dy standarde në lidhje me incidentet, duhet edhe të mos flasësh duke qenë se FSHF është me sy e veshë duke pritur për të vjelur gjobat.

VENDIMET:

  1. KF “Vllaznia”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 65/3 dhe Nenit 65/4/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshja pa tifozë në fushën përkatëse.

Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, urdhërohet pezullimi i zbatimit të dënimit për ½ e dënimit me kusht për një periudhë 6 mujore.

  1. Lojtari i KF “Kukësi”, Olsi Teqja, për publikimin e deklaratave kundër interesave të FSHF, në bazë të Nenit 10/1/d. të Statutit të FSHF dhe Nenit 18 të KDS, dënohet me pezullim nga 2 (dy) ndeshje prej aktivitetet futbollistike.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/