Dikur drejtonte Kastriotin, Plori karikon Besëlidhjen dhe beson te suksesi

Elvis Plori u ul në stolin e Besëlidhjes këtë verë me bekimin e presidentit Gjok Noka dhe me synimin e vetëm, ngjitjen e skuadrës në elitë. Kanë më shumë se një dekadë lezhjanët që e kërkojnë ngjitjen në futbollin e madhe, ndërsa para ndeshjes me Kastriotin, skuadër të cilën e ka drejtuar edhe më parë, Elvis Plori ka theksuar: “Jam te Besëlidhja për të punuar me të gjitha forcat që skuadra të ngjitet në elitë. Kastrioti ka një ekip shumë të mirë dhe ka rënë vjet nga Superliga. Kanë ruajtur disa lojtarë nga vjet dhe kanë një grup të fortë”.

Transferta

“Fusha e Kastrioti është e nxehtë, por shpresoj që terreni të jetë i mirë që të dyja ekipet të shfaqin vlerat e tyre. Besoj se ne do të shfaqim vlerat tona. Është vetëm java e dytë dhe është herët për të thënë se kush fiton vendos sezonin”.

Formacioni

Besëlidhja ka qenë një nga skuadrat më aktive në merkato, e madje duke afruar kualitete dhe futbollistët që kanë luajtur prej dekadash edhe në elitë, ku spikat Arjan Sheta. Trajneri Plori thotë se do të hedhë në fushë një skuadër dinjitoze për të marrë 3 pikët. “Akoma nuk e kam menduar për 11-shen, por di të them se do të hedhim në fushë ata lojtarë që do të jenë në gjendjen e tyre më të mirë për të marrë maksimumin në këtë duel”, – tha Plori.

E.S./Vipsport.al/