Dha dorëheqjen para tre ditëve, trajneri i Bosnjës bëhet pishman: Mund të shkojmë në europian

Në ndeshjen e para tre ditëve mes Armenisë dhe Bosnje Hercegovinës, trajneri Robert Prosineçki pas disfatës 4-2 vendosi të paraqiste dorëheqjen nga posti. Megjithatë, duket se tekniku kroat është bërë pishman dhe ka vendosur të kthehet edhe pas ftesës për të qëndruar nga ana e Federatës, ndërsa është shprehur se boshnjakët kanë ende mundësi për t’u kualifikuar.

Bosnja është në grup me Italinë, e cila duket e pakapshme në vendin e parë, megjithatë ata do të luftojnë për vendin e dytë me Finlandën e cila është pesë pikë larg. Por, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar, atëherë ekzistojnë të gjitha mundësitë për të marrë kualifikimin. “ Kam ndërruar mendje falë personave që më kanë mbështetur.

Do të ishte e thjeshtë të largohesha dhe të mendoja se ka mbaruar, por kam vendosur të qëndroj dhe tani shpresoj se mund ta rregullojmë situatën. Një ndryshim i trajnerit në këto momente nuk do të kishte asnjë efekt pozitiv. Ndër të tjera, mundësia për t’u kualifikuar në europian është akoma aty”, u shpreh Prosineçki. Në muajin e ardhshëm, Bosnja do të ketë një sfidë vendimtare përballë Finlandës në shtëpi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/