Dështon lëvizja e madhe e Flamurtarit, një sulmues i la në baltë në momentin e fundit

Kriza financiare që ka mbërthyer klubin e Flamurtarit nuk ka ndaluar drejtuesit e kësaj skuadre që të kërkojnë në çdo moment elementë cilësorë dhe ata kanë vazhduar të kontaktojnë të tillë deri në momentet e fundit të merkatos. Në fakt, vlonjatët i janë afruar shumë një lëvizje të bujshme në merkato, për të përforcuar sulmin me një element shumë cilësor, por që ka dështuar në momentet e fundit të merkatos.

Vlonjatët kishin kontaktuar me sulmuesin grek Vasilios Kutsianikulis, i cili ka një karrierë të pasur në elitën e futbollit grek ku ka luajtur me klube të njohura si Ergotelis, Iraklis, PAOK, OFI Kretë apo AEL Larisa. Lojtari 31-vjeçar, dikur cilësohej si një nga emrat që do të bënin karrierë në radhët e përfaqësueses greke, pasi luajti me U21 të saj 13 ndeshje duke shënuar 4 gola.

Kutsianikulis do të përforconte krahun e majtë të sulmit, pasi luan si anësor, ndërsa regjistron në 201 ndeshje në Superligën greke 16 gola e 22 asiste. Dukej se firma e tij me Flamurtarin ishte gati për një lëvizje të bujshme të vlonjatëve, por në momentin e fundit, ai vendoi të refuzonte ofertën e kuqezinjve, duke zgjedhur që t’i bashkohet Pançaikit në kategorinë e dytë greke. /vipsport.al/