Dëmtimi me Kombëtaren kthehet në problem, Berisha mbetet jashtë skuadrës edhe në Itali

Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha u largua nga grumbullimi një ditë para ndeshjes dhe vendin e tij në Kombëtare, e zuri Gentian Selmani. Gardiani kuqezi kishte probleme fizike dhe për këtë arsye, e kishte të pamundur të ishte pjesë e skuadrës për ndeshjen që kuqezinjtë fituan ndaj Islandës me rezultatin 4-2.

Sakaq, edhe me skuadrën e tij në Itali, Berisha ende nuk e ka nisur stërvitjen. Ditën e sotme, SPAL-i ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Lacios në kampionat dhe me trajnerin Sempliçi ishin të gjithë futbollistët përveç Berishës dhe Janjkoviçit.

Futbollisti malazez do të bashkohet me skuadrën ditën e nesërme ndërkohë që Berisha do të nisë përgatitje individuale duke qenë se ka lodhje të tepërt në muskujt e kofshës së djathtë. Gjendja e tij do të vlerësohet këto ditë dhe më pas do të vendoset nëse do të luajë apo jo kundër Lacios, ish-skuadrës së tij. /Erjon Allaraj-VipSport.al/