Debutim “horror” në Champions, në Itali kryqëzojnë Gjimshitin: S’ka justifikime, janë pasojat e Serisë B

Atalanta e nisi rrugëtimin e saj në grupet e Championsit në mënyrën më të keqe të mundshme, duke u mundur me rezultatin 4-0 nga Dinamo e Zagrebit. Të besuarit e Gasperinit kanë zhgënjyer plotësisht duke qenë se pritej një paraqitje më dinjitoze duke qenë se Dinamo nuk shihet si skuadra më e fortë e mundshme, të cilën nuk mund ta mundësh.

Titullar ishte mbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti, i cili ka bërë një paraqitje mjaft të dobët. Diçka të tillë e kanë vlerësuar mediat italiane që nuk kanë hezituar të kritikojnë Gjimshitin, por jo vetëm atë duke qenë se pre e kritikave ka rënë e gjithë skuadra. Gjimshitit, i kujtojnë që dy vite më parë luante në Serinë B prandaj bën paraqitje të tillë.

Bergamopost.it: “Gjimshiti 5: Shumë ‘vallëzime’ në qendër të mbrojtjes. Pas një paraqitje perfekte ndaj Xhenoas, zhgënjen ndaj një kundërshtari që në letër nuk ishte i pamundur për të bërë mirë. Paraqitje për t’u harruar”.

Oasport.it: “Gjimshiti 4: Paraqitje pa cilësi në mbrojtje. Kompeticioni dhe faza nuk mund të jenë justifikim për paraqitje të tilla ndaj një kundërshtari me të njëjtin nivel”.

Bergamoesport.it: “Gjimshiti 4: Shumë keq. Po paguan kalimin 3-vjeçar pasi luante me Avelinon në Serinë B, vjet me Beneventon në Serinë A ndërsa tani në Champions. Dështon në ndeshjen e tij të parë në këtë kompeticion”. /Erjon Allaraj-VipSport.al/