Daja: E merituar se mundëm një skuadër të pamposhtur. Oshilacionet do të vazhdojnë

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka vlerësuar si mëse të merituar fitoren e skuadrës së tij ndaj Teutës. Në SuperSport, trajneri deklaroi se ekipi kishte bërë çdo gjë mirë edhe pse kishte shpresuar që sfida të mbyllej më shpejt me një gol të dytë.

“Na kënaq fitorja, sepse morëm një 3-pikësh karshi Teutës që nuk njihte humbje deri tani. Na kënaq fakti që nuk pësuam gol, ishim më të konsoliduar në mbrojtje. Kishim shumë raste para portës çka do të thotë që sot e merituam 3 pikëshin.

oli i dytë do t’i jepte qetësi të madhe ekipit. Me një gol avantazh vuajtëm, por shkuam drejt fitores. Besoj që kemi marrë maksimumin me problematikat që kemi pasur. Kemi kohën e duhur tashmë. Muzaka do të jetë forcë e shtuar, duke filluar nga java tjetër. Kemi kohën e duhur për të minimizuar problemet. Duhet të shtojmë më shumë finalizimin para portës.

Nuk është më ai Skënderbeu që i jepte tonin kampionatit shqiptar. Problematikat dhe oshilacionet do të jenë prezente, deri sa të konsolidojmë manovrën. Koha qe kemi pasur në dispozicion ka qenë e mjaftueshme. Pjesa që na ka munduar ka qenë dëmtimi i lojtarëve titullarë, të cilët nuk i kemi pasur në seancat stërvitore. Këto ndikojnë te oshilacionet brenda lojës. Me ardhjen e lojtarëve me eksperiencë, besoj që do jemi faktor në kampionatin shqiptar. Mendoj se do jemi te pjesa e sipërme e renditjes”, tha Daja.