Cikalleshi: Kemi një finale me Turqinë, Reja na ka dhënë besim, lirshmëri por nuk mungon disiplina

Sokol Cikalleshi ishte një nga ata lojtarë të cilët shkëlqyen në mbrëmjen e djeshme për Shqipërinë në përballjen ndaj Islandës. Sulmuesi gjeti edhe rrugën e rrjetës, ndërsa pas ndeshjes u shpreh se me Turqinë i pret një finale, teksa theksoi se trajneri Reja i ka dhënë besim dhe lirshmëri skuadrës, por nuk mungon disiplina.

“Jemi shumë të lumtur pas zhgënjimit në Francë, nuk ishte e lehtë. Arritëm të fitonim edhe me katër gola, gjë që rrallë ka ndodhur më parë. Arritëm të shënonim me dy mbrojtës, është mirë pasi tregon se ekipi funksionon. Jemi të lumtur, kemi bërë gjysmën e punës për të vazhduar ëndrrën tonë. Kemi edhe gjysmën tjetër me Turqinë, por që është e vështirë.

Shanset? Nëse nuk fitonim shanset tona do zbeheshin. Është e vështirë, Franca dihet që është vendi i parë. Jemi në disavantazh me Turqinë dhe Islandën, por siç e thashë sot bëmë gjysmën e punës Kemi një finale me Turqinë, nuk duhet të humbim. Nuk jemi favoritë, por kemi shanset tona.

Reja ka bërë atë çka na nevojitet më shumë, na ka dhënë besim. Lirshmërinë e duhur, sigurisht dhe me disiplinë. Duke gjetur harmoninë që na mungon, uroj që ta shpalosim edhe me rezultate. Sot e treguam, është një ringritje pas Francës Sot kënaqemi por nga nesër vazhdojmë me kokën ulur”, tha Cikalleshi