Çekiçi dhe besëtytnitë e çuditshme në Slloveni, refuzon të ekzekutojë penalltinë e tij (VIDEO)

Endri Çekiçi u kthye sërish protagonist në kampionatin slloven, aty ku me skuadrën e tij arriti të fitonte një penallti në barazimin 2-2 ndaj Celjes. Futbollisti pogradecar, është përcaktuar nga trajneri i tij që të jetë gjuajtësi i parë i penalltive dhe deri më tani i ka ekzekutuar me sukses ato që ka pasur.

Por, një besëtytni shumë e çuditshme lidhet me këtë penallti. 22-vjeçari i Olimpijas ka vendosur që penalltitë e fituara nga ai vetë, do të ekzekutohen nga një tjetër futbollist dhe këtë duket se e ka për fat.

Diçka të tillë, e ka zbuluar vetë Çekiçi për “VipSport.al”, ku u shpreh se kishte të drejtë për ta ekzekutuar atë penallti por nuk e ka marrë përsipër. “Ishte një ndeshje e dominuar nga ne dhe mund të fitonim, por barazuar me 2 herë që erdhën te porta. Penalltia? Po, është e vërtetë që e fitova unë e shënoi tjetër futbollist por është zgjedhja ime. Preferoj që penalltitë e fituara vetë, të mos i ekzekutoj unë, ndërsa të tjerat po”, u shpreh Çekiçi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/