Bicaj tregon frikën e lojtarëve të Tiranës dhe defektin e saj: Sulmuesi ynë do ta ketë të lehtë

Ditmar Bicaj mendon se Tirana është aktualisht kandidatja kryesore për të fituar titullin kampion në Superiore, por paralajmëron se pretendimet bardheblu do të shihen pasi ekipi të bëjë hapin e parë të gabuar në kampionat. Mbrojtësi i Bylisit, i cili në karrierën e tij ka veshur edhe fanellën e bardhebluve, ka zbuluar se kësaj i druhen edhe vetë futbollistët e kësaj skuadre.

Në “Pressing” ai ka zbuluar gjithashtu edhe atë që mendon se është pika e dobët e Tiranës së këtij sezoni, që mund t’i sjellë probleme ndaj një skuadre të madhe.

“Tirana favorite? Personalisht mendoj se po, nga organika që ka por edhe nga fakti që janë shumë entuziastë. Po ta shohësh, kanë marrë lojtarët më të mirë në qarkullim në çdo repartet, sidomos në të djathtë. Është ekipi më i kompletuar, pastaj duhet të shohim se si do të reagojë pas një humbje. Në bisedat që bëj me shokët që kam në radhët e Tiranës, dhe ata ma pranojnë dhe thonë që kësaj i druhen, momentin që mund të pësojnë një humbje.

Problemi? Me lojën që bën Tirana me forca të shumta në sulm, do të ketë problematika. Për mua si mbrojtës do të jetë e vështirë, por për sulmuesin e ekipit tonë do të jetë më e lehtë se do të ketë hapësira. Mendoj se do të vuajë pak me skuadrat e forta”, tha Bicaj. /vipsport.al/