Berluskoni i pamëshirshëm ndaj Milanit: Këtë skuadër Monza ime e mposht 3-0

Sukseset e Milanit të tij ishin të padiskutueshme, teksa në kohën kur Silvio Berluskoni ishte president i kuqezinjve, skuadra ishte në majën e Europës. Mirëpo, aktualisht Milani është një fotokopje e shëmtuar e atij të dikurshmit dhe situata duket e vështirë për t’u ndryshuar.

Tashmë, Berluskoni nuk është më në krye të klubit, ndërsa ka marrë nën drejtim Monzën, me të cilën kërkon të arrijë suksese duke e ngjitur në Serinë A. Për momentin klubi ndodhet në Serinë C, por me synimin për të shkuar lart. Së fundmi, skuadra po ecën mirë dhe ka marrë katër fitore radhazi dhe nëse fitojnë edhe një ndeshje do të ishte hera e parë për këtë klub të triumfonte pesë herë radhazi.

I shtyrë nga suksesi i skuadrës, Berluskoni në formë batute është shprehur se Monza e tij e mposht 3-0 skuadrën e Milanit aktual. “ Kam folur me presidentin aktual të Milanit dhe i thashë të organizojmë një miqësore. Do të fitojmë 3-0. Kush ka parë Monzën së fundmi është argëtuar. Dallohet efekti i skemave të studiuara nga unë, Broki dhe Galiani”, u shpreh Berluskoni.