Bartomeu zbulon negociatat e ethshme për Nejmar: E propozoi PSG, nuk vjen në janar

Josep Maria Bartomeu, presidenti i Barcelonës, ka vendosur më në fund që të flasë publikisht për negociatat me PSG që do të kthenin Nejmar te katalanasit. Drejtuesi i skuadrës spanjolle ka bërë të qartë se transferimi, nëse do të realizohej, do të ishte një “ekstra”, pasi klubi kishte ndërtuar skuadrën e duhur për ta vënë në dispozicion të trajnerit Valverde.

“Ishte një verë e qetë përtej rastit Nejmar. Kishim krijuar grupin, por PSG i hapi derën Nejmar dhe u mendua ky opsion si një “ekstra”. Ndaj nisi një negociatë që nuk përfundoi mirë. Kishim  shpresë pasi ai kishte treguar dëshirën që të vinte.

Kemi folur për shkëmbime lojtarësh por emrat i propozoi PSG, jo ne. Bëhej fjalë për dhënien e një futbollisti në huazim me të drejtën e blerjes së kartonit në vitin pasardhës. Nejmar bëri atë që duhej të bënte, t’i thoshte klubit dëshirën që kishte për t’u transferuar. Ai bëri të pamundurën por këtë vit do të luajë te PSG. Nuk është se ata nuk deshën t’ia shisnin Barcelonës, thjesht nuk dëshironin të shitnin lojtarët më të mirë. Di që pas tij ishin 3 skuadra, por Nejmar i tha PSG që dëshironte vetëm Barcelonën.

Tani emri i tij është jashtë listës tonë për këtë sezon, në janar nuk është si opsion. Dembele? Ai është një futbollist i yni, ka dëshirën të triumfojë me ne por nuk e propozuam kurrë në shkëmbim, ishte PSG që na e kërkoi”, tha Bartomeu. /vipsport.al/