Zyrtarizohet përforcimi i radhës te Tirana, bardheblutë nënshkruajnë me ish-mbrojtësin e Skënderbeut

Tirana vazhdon punën e saj në merkato. Ditën e sotme bardheblutë kanë zyrtarizuar edhe goditjen e radhës teksa bëhet fjalë për mbrojtësin Kristi Vangjeli. Futbollisti vjen si një përforcim nga skuadra e Skënderbeut.

Bardheblutë e kanë të qartë strategjinë e kësaj merkatoje, teksa deri më tani kanë afruar lojtarë me shumë eksperiencë dhe që e njohin në detaje kampionatin shqiptar. 24-herë kampionët e Shqipërisë, nën drejtimin e trajnerit Ardian Mema kërkojnë të rikthehen te titulli në sezonin e ardhshëm, duke qenë se është edhe një vit special për Tiranën, pasi klubi feston 100 vjetorin.

Njoftimin për arritjen e marrëveshjes me Kristi Vangjelin e ka bërë vetë klubi kryeqytetas nëpërmjet rrjeteve sociale. Mbrojtësi do t’i bashkohet Tiranës në ditët e fundit të muajit gusht. /Egi Çabeli-VipSport.al/