Zyrtare/ Monako kërkon të rikthehet në krye, firmos me sulmuesin që iu bë makth Mançester Junajtidit

Pas një sezoni mjaft të vështirë ku rrezikoi seriozisht rënien nga kategoria, Monako ka nisur nga puna për t’u forcuar për sezonin e ardhshëm. Starti jo i mirë ku u mund me rezultatin 0-3 nga Olimpik Lioni, i ka detyruar drejtuesit të hyjnë në merkato dhe të shpenzojnë jo pak.

Sot, është prezantuar edhe sulmuesi Visam Ben Jeder i cili është larguar nga Sevilja pas një aventure mjaft të suksesshme, ku ishte protagonist me golat dhe me paraqitjet e tij. Ben Jeder që tashmë është edhe pjesë e kombëtares franceze, shihet si sulmuesi që mund të shpëtojë repartin ofensiv të skuadrës nga principata.

Kujtojmë që Ben Jeder spikati jo pak edhe në Ligën e Kampionëve, sidomos në ndeshjen ndaj Mançester Junajtidit ku i shënoi dy gola në 4 minuta duke e eliminuar. Në 3 sezone me fanellën e Seviljas, Ben Jeder arriti të shënonte plot 38 gola në 91 ndeshje. /Erjon Allaraj-VipSport.al/