Zyrtare / Mazrekaj ndryshon mendje, kthehet në futboll dhe krijon dyshen e vjetër të Partizanit

Lamtumira e Mentor Mazrekajt nga futbolli ka zgjatur më pak se një javë. Futbollisti nëpërmjet rrjeteve sociale deklaroi pak ditë më parë se i jepte fund karrierës së tij, duke ia vënë fajin vetes se nuk kishte pasur një sjellje prej profesionisti.

Por mesfushori ka ndryshuar mendje dhe sot është prezantuar te klubi i ri, KF Llapi, ku për më tepër ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Kësisoj, 30-vjeçari do të krijojë në radhët e skuadrës kosovare një dyshe të vjetër sulmi si te Partizani, pasi në radhët e kësaj skuadre gjendet edhe Sebino Plaku me të cilin ka luajtur te të kuqtë.

Lojtari ka dalë sot në stërvitje me klubin e tij të ri, me të cilin shpreson që të arrijë të tregojë disa nga aftësitë që i dhanë famë në radhët e Partizanit, po të cilat nuk arriti t’i shfrytëzonte siç duhej.

NJOFTIMI

Sulmuesi i krahut, Mentor Mazrekaj nga dita e sotme do jetë pjesë e Llapit. Mazrekaj me bagazh të madh në futbollin kosovar dhe atë shqiptar ka përforcuar edhe më shumë radhët e Llapit.

Mentor Mazrekaj, 30 vjeç, i lindur më 08.02.1989. Futbollist me përvojë të madhe. Spikasin paraqitjet e tij me Partizanin e Shqipërisë, teksa ka qenë pjesë e Prishtinës dhe Ferizajt.

Mentor Mazrekaj u paraqit për herë të parë në stërvitje teksa futbollistët dhe stafi i trajnerëve i dëshiruan mirëseardhje në mesin tonë! /vipsport.al/