ZYRTARE / Labinot Ibrahimi i jep lamtumirën Partizanit me “bekimin” e Demit

Labinot Ibrahimi nuk do të jetë futbollist i Partizanit për sezonin 2019-2020. Vendimi është zyrtarizuar nga klubi i ri i futbollistit, KF Prishitna, ku ai do të vazhdojë karrierën, 6 vite pasi e braktisi për t’iu bashkuar të kuqve.

Sipas klubit kosovar, ky transferim është bërë i mundur falë marrëveshjes mes presidentëve të dy klubeve të cilët kanë miqësi dhe kanë arritur shpejt akordin.

NJOFTIMI I PRISHTINËS

“Presidenti i nderuar i Partizanit, mik i ngushtë i kryetarit të FC Prishtina, Remzi Ejupi, do të ndihmoj klubin tonë duke pranuar ofertën e transferimit të Labinot Ibrahimit, nga radhët e Partizanit nga Tirana në Prishtinë.

Labinot Ibrahimi, ndër futbollistët më të dashur të tifozerisë së kuqe, do të rikthehet në skuadrën e Prishtinës pas 6 vitesh kur në vitin 2013 kishte lëvizur për Tiranë.

Labinot Ibrahimi, ka fituar të gjitha trofetë e mundshëm, si me Prishtinën po ashtu edhe me Partizanin.

Ndërsa, FC Prishtina, edhe njëherë falënderon publikisht presidentin Demi për ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy klubeve”. /vipsport.al/