Zyrtare/ Kukësi konfirmon një tjetër largim, marrin fund dilemat për idhullin e tifozëve

I ardhur me bujë në merkaton e janarit, Valdet Rama u kthye shumë shpejt te Kukësi në një nga lojtarët më të rëndësishëm i cili me golat dhe paraqitjet në fushë, u bë edhe idhull për tifozerinë verilindore. Aventura e tij me Kukësin ka zgjatur vetëm pak muaj duke qenë se Rama ka vendosur të largohet në drejtim të Gjermanisë, aty ku pritet të firmosë me Mepenin.

Mëngjesin e sotëm, ka ardhur edhe konfirmimi nga vetë klubi verilindor për largimin e Ramës, për të cilin ata shprehen se ishin gati t’i plotësonin çdo kërkesë që kishte, por pa arritur ta bindin për të rinovuar. Sakaq, nuk ka munguar një falënderim për ish-sulmuesin e Kombëtares i cili ndihmoi verilindorët në fitimin e Kupës.

“Futboll Klub Kukësi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Valdet Ramën. Marrëveshja mes klubit tonë dhe 31-vjeçarit ka përfunduar, pasi ish-futbollisti i kombëtares nuk ka rinovuar kontratën me nënkampionët për arsye familjare .

Edhe pse klubi ishte i gatshëm që t’i plotësonte çdo kërkesë lojtarit, ishte vetë dëshira e vetë futbollistit për t’u larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

Mesfushori i linjës së majtë, i ardhur te skuadra jonë gjatë merkatos së dimrit, është aktivizuar në 17 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke fituar dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Klubi falënderon Valdet Ramën për kontributin e dhënë me fanellën blu dhe i uron suksese në karrierë”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/