Zyrtare/ Kukësi bën surprizën para ndeshjes me Partizanin, në listë përfshihet edhe Abazaj

Kukësi dhe Partizani do të nisin sot aventurën në Kategorinë Superiore, duke ngritur siparin për edicionin e ri. Verilindorët që janë pritës në letër, por që ndeshjen do ta luajnë në “Elbasan Arena”, kanë publikuar listën me futbollistët e grumbulluar për këtë takim.

Mes futbollistëve që tashmë priteshin, risia është Kristal Abazaj i cili duket se ka marrë miratimin nga klubi belg, për të qenë pjesë e Kukësit. Ashtu siç “VipSport.al” njoftoi pak ditë më parë, Abazaj është tashmë zyrtarisht futbollisti më i ri i Kukësit, lajm ky i konfirmuar tashmë edhe nga klubi verilindor.

Për herë të parë në listë, është përfshirë edhe afrimi i pak ditëve më parë, Erhun Obanor i cili pritet të jetë edhe titullar takimin e sotëm. Bie në sy fakti se për këtë takim, është lënë jashtë Marko Van Basten Çema i cili u zëvendësua nga Duro vetëm pak minuta pasi hyri në lojë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/