Zyrtare / Firmos Baloteli, sulmuesi kthehet përsëri në Serinë A

Mario Baloteli kthehet përsëri në Serinë A, ku më parë ka veshur fanellën e Interit dhe Milanit. Sulmuesi i përfaqësueses italiane këtë herë ka pranuar një projekt më modest në teori, pasi i është bashkuar ekipit të Breshias, duke synuar që të ndihmojë skuadrën të mbijetojë në elitën e futbollit italian.

“Mario Baloteli është zyrtarisht një futbollist i ri i Breshias. Futbollisti ka firmosur me klubin një kontratë shumëvjeçare. Kthimi në Itali pas tre vitesh është bërë i mundur falë vendosmërisë dhe entuziazmit të Marios për t’u kthyer në Breshia, qytet ku është rritur dhe ku që fëmijë ra në sy për aftësitë e tij fizike e teknike”, shkruhej në njoftimin e Breshias.

Përforcimi me një sulmues si Baloteli sigurisht që do të rritë vlerat e kësaj skuadre dhe shanset për mbijetesën në elitën e futbollit italian, por mbetet për t’u parë se si do të reagojë ai në radhët e një ekipi i cili si objektiv parësor ka mbijetesën. /vipsport.al/