Zidan i vështirëson punët Napolit: Jam i lumtur nga Hames Rodriguez

Tekniku Zinedin Zidan duket se ka kthyer mendje dhe tashmë llogarit në shërbimet e Hames Rodriguez përgjatë sezonit. Tekniku francez në fillimin e merkatos nuk e dëshironte kolumbianin, i cili u rikthye në Madrid pas huazimit dyvjeçar te Bajerni i Mynihut. Në garë për Hames është Napoli, ndërkohë që edhe Atletiko nuk e ka fshehur pëlqimin.

Megjithatë, italianët nisur edhe nga kërkesa e trajnerit Ançeloti e kanë mesfushorin objektiv kryesor të merkatos. Të kaltrit ishin pranë Hamesit por nuk gjetën gjuhën e përbashkët me ‘Los Blancos’. Tashmë, kushtet janë vështirësuar teksa Zidan ka mbetur i kënaqur nga lojtari. Pas ndeshjes së fundit në kampionat francezi u shpreh se 28-vjeçari kishte zhvilluar një ndeshje të mirë.

“ Hames e zëvendësova sepse kishte një problem të vogël muskulor dhe nuk doja ta rrezikoja. Jam i lumtur nga ai dhe nga mënyra si ka luajtur. Paraqitja e tij ishte shumë e mirë”, tha Zidan, duke i dhënë një goditje shpresave të Napolit për të nënshkruar me kolumbianin.