Zëdhënësi për shtyp i Tiranës, Nikolli: E rëndësishme që e nisim para tifozëve tanë, ekipi ka shumë kualitet

Pas përcaktimit të kalendarit për sezonin e ri 2019-2020, zëdhënësi për shtyp i Tiranës, Mario Nikolli është ndalur në një prononcim për mediat teksa ka theksuar se nga shorti i rëndësishëm është fakti se skuadra e nis kampionatin në shtëpi para tifozëve të vetë, ndërsa shtoi se ekipi ka shumë kualitet por duhet të qëndrojë më këmbë në tokë.

Kalendari? “Mendoj se është i favorshëm. Ajo që ka rëndësi është që e nisim kampionatin në shtëpi, përballë tifozëve tanë. Pastaj pjesa tjetër, si çdo skuadër duhet t’i marrim ndeshjet një për një dhe me këmbë në tokë, duke parë se si do shkoi situata. Por, e rëndësishme është që e nisim në shtëpi.

Merkato? E rëndësishme është që në atë çka klubi ka menduar në bashkëpunim me presidentin, drejtorin dhe stafin teknik janë bërë zgjedhjet e duhura. Besoj se kemi marrë lojtarë të mirë, me kualitet, futbollistë me shumë eksperiencë të cilët do të kenë mundësinë të përballojnë si kampionatin ashtu edhe Kupën.

Pasi dihet, Tirana është Tirana dhe lufton çdo sezon për trofe. Por, siç e thashë më parë duhet të jemi të qetë dhe të kujdesshëm, ta menaxhojmë situatën sa më mirë pasi ekipi ka shumë kualitet dhe besoj se do shkojmë larg”, tha Nikolli.