Zbulimi i Tares dështon në vizitat mjekësore, do të provojë sërish pas një jave

Para pak ditëve u bë e ditur se drejtori shqiptar i Lacios, Igli Tare, kishte firmosur me futbollistin e talentuar serb Strahinja Pavloviç. Mbrojtësi i datëlindjes 2001 cilësohet si një element me shumë të ardhme, teksa në garë për shërbimet e tij ishte edhe Juventusi. Megjithatë, Lacio falë edhe drejtorit Tare arriti të mbyllte marrëveshjen me Pavloviç.

Lojtari do të qëndrojë deri në përfundim të këtij sezonin te Partizani i Beogradit, për t’u transferuar më pas në kryeqytetin e Italisë, për shifrën e 5.5 milionë eurove. Megjithatë, ditën e djeshme mbrojtësi do të kryente vizitat mjekësore te Lacio për të zyrtarizuar lëvizjen, por e papritura ka qenë se Pavloviç nuk ka arritur t’i kalojë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se transferimi nuk do të kryhet, teksa italianët do ta presin sërish me futbollistin që do të udhëtojë të hënën drejt Romës, me shpresën që këtë radhë të mos ketë të papritura dhe të zyrtarizohet si futbollist i Lacios.

/Egi Çabeli-VipSport.al/