Zaneti nuk i trembet shortit të Interit: E njohim Barcelonën, duam të kualifikohemi

Havier Zaneti mendon se Interi ka potencialin për të kaluar fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, edhe pse ka rënë në një grup që shumëkush e ka cilësuar si më të vështirin, pasi përkrah janë edhe Barcelona dhe Borusia Dortmund, skuadra me synime të qarta madhore.

“Kthehemi në Barcelonë, e njohim potencialin e kësaj skuadre, por do të luajmë shanset tona. Me të dy të tjerat është gjithçka e hapur, duam të paraqitemi sa më mirë”, tha zëvendëspresidenti i Interit pas shortit. “Konte ka sjellë një mentalitet të madh, e dini më mirë se unë. E kemi parë që në ndeshjen me Leçen. Në Champions duam të luajmë shanset ndaj të gjithëve, jemi vetëm në fillim dhe mund të përmirësohemi edhe më shumë me Antonion në pankinë. Duam fazën me eliminim direkt”, vijoi ai.

I ngacmuar nëse kishte qenë pa fat Interi apo Borusia Dortmund, ish-futbollisti nuk fshihet. “Mendoj se skuadra jonë është ndërtuar për t’u kthyer të jetë protagoniste, kemi zgjedhur Konten dhe ndërtuar një grup të madh. Duam të bëjmë mirë në një grup të Ligës së Kampioneve, pastaj të shohim se ku mund të arrijmë”, tha ai. /vipsport.al/