VIDEO / Zhoao Feliks jep spektaklin e radhës, Atletiko marshon pa gabime

Atletiko Madrid ka regjistruar sot fitoren e dytë radhazi në kampionatin spanjoll të futbollit, duke treguar se mbetet një skuadër solide pavarësisht ndryshimeve të shumta që ka bërë gjatë verës me largimin e veteranëve apo edhe të një lojtari me peshë si Grizman.

Zhoao Feliks është kthyer shumë shpejt në një prej lojtarëve kryesorë të manovrës së skuadrës së Simeones dhe me lojën e tij spektakolare po bën diferencën duke vënë në vështirësi mbrojtjet kundërshtare. Talenti portugez ishte vendimtar edhe në duelin e sotëm në fushën e Leganes, ku Atletiko doli me një sukses falë aftësive të tij. Një driblim në krahun e djathtë nga ai dhe një pasim perfekt për Vitolon, i dha mundësinë këtij të fundit të dërgonte topin në rrjetë në minutën e 71-të të takimit, duke vulosur fitoren 1-0.

Kështu, Atletiko shkon me pikë të plota në kreun e renditjes së kampionatit, ashtu si Sevilja pas dy javësh të para shumë interesante që sheh vetëm këto dy skuadra me pikë të plota në një kampionat që ka nisur me shumë surpriza. /vipsport.al/