VIDEO / Vjen goli i parë në kampionat për Uzunin, sulmuesi inatoset por nuk harron “shqiponjën”

Myrto Uzuni ka gjetur më në fund golin e parë në këtë kampionat, edhe pse nuk ka qenë një gol i festuar ashtu siç do të dëshironte futbollisti shqiptar. Sulmuesi ishte titullar i padiskutueshëm në radhët e Lokomotiv Zagreb, por meqë po përjetonte një moment “jo” para portës, trajneri vendosi ta ulte në stol në duelin e sotëm ndaj Varazhdin.

Uzuni do të hynte në fushë e lojës në minutën e 15, për të zëvendësuar një tjetër shqiptar, mesfushorin Çokaj, por ekipi i Varazhdin do të mbyllte pjesën e parë në avantazh. Megjithatë, ishte sulmuesi i përfaqësueses ai që vendosi barazinë në shifra, duke shënuar golin e 1-1, kur shënohej minuta e 56 e sfidës.

Një harkim perfekt nga Kastrati në krahun e djathtë dhe një gjuajtje e pakapshme me kokë për sulmuesin e cili nuk festoi këtë gol përveç shqiponjës të zakonshme me të cilin u kujton të gjithëve se është një shqiptar. Ndoshta një reagim për trajnerin, i cili nuk i besoi e sot mori përgjigjen e duhur. /vipsport.al/