VIDEO / Tifozët pushtojnë fushën, Juventusi detyrohet të braktisë “klasiken” pas 51 minutash

Entuziazmi i tifozëve të Juventusit këtë herë ka kaluar çdo limit dhe ka detyruar klubin bardhezi që të ndërpresë ndeshjen klasike të verës, atë mes ekipi A dhe B në Vilar Perosa. Ndeshja e cila është kthyer në një pelegrinazh të mirëfilltë nga tifozët bardhezinj, si zakonisht është zhvilluar në praninë e mijëra prej tyre të cilët kishin që prej mëngjesit që kishin zënë vendin rreth fushës dhe në kodrinën përkrah.

Dy gola të Dibala dhe një i tretë i Kuadrado me thembër, me autogolin Demiral në mes, çuan shifrat në 3-1 deri në minutën e 51-të, kur futbollistët u detyruan të largoheshin nga fusha e lojës dhe të ndërprisnin para kohe këtë miqësore.

Shkak u bë futja e disa tifozëve në fushë, e më pas e gjithë turma pushtoi terrenin sportiv për të takuar idhujt e tyre e për të marrë nga ata një kujtim të vogël.

Në kushte të tilla sfida nuk mund të vazhdohej dhe gjithçka u mbyll pikërisht në minutën e 51-të. /vipsport.al/