VIDEO / Talenti Muçi shkëlqen edhe ndaj Real Madrid, humbje minimale e Shqipërisë U19

Përfaqësuesja shqiptare U19 është mundur sot me rezultatin 2-1 nga Real Madrid U19 në turneun në të cilin po merr pjesë në Zagreb, por ka konfirmuar përsëri se ka në radhët e saj talente shumë të mëdhenj. Një nga ata është padyshim Ernest Muçi, sulmuesi i Tiranës, i cili edhe në ndeshjen e sotme ndaj madrilenëve la shenjë duke shënuar golin e 2-1 në minutën e 44 të sfidës.

Pas një pasimi te Beqjes, Muçi arriti të shmangte një kundërshtar dhe nga jashtë zonës lëshoi një gjuajtje të pakapshme për portierin kundërshtar, duke vazhduar kësisoj të shkëlqejë me fanellën e U19 ku ka gjetur rrjetën me rregullsi edhe në ndeshjet e mëparshme miqësore. Nuk është rastësi që trajneri Nevil Dede i ka besuar atij edhe shiritin e kapitenit, duke vlerësuar në këtë mënyrë talentin kryeqytetas.

Golat për Realin u shënua nga Aranda dhe Martin në pjesën e parë të ndeshjes, ku Shqipëria u paraqit me këtë formacion titullar: Malaj, Lucaj, Rexhepi, Selishta, Hida, Beqja, Gashi, Rrapaj, Ibrahimi, Muçi, Prenga. (U aktivizuan: Bernaca, Shimaj, Shabani, Beu, Ajazi, Nurja).

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e radhës ndaj Dinamos së Zagrebit ditën e nesërme, ndërsa të shtunën mbyll pjesëmarrjen me sfidën ndaj Olimpija Ljubljanës. /vipsport.al/