VIDEO / Superkupa e “njollosur” e Liverpulit, gjyqtarja gaboi te penalltia e fundit

E gjithë bota sot i kishte sytë nga Stefani Frapart dhe jo rastësisht. Francezja bëhej gjyqtarja e parë që caktohej të drejtonte një ndeshje të rëndësishme të futbollit të meshkujve, ndaj sigurisht që çdo gjë do të kalonte në lupë.

Në një ndeshje ku ajo nuk kurseu vërshëllimat, Frapart dha një penallti dhe anuloi dy gola për pozicione jashtë loje ndaj skuadrës së Çelsit. Asistentet e saj sinjalizuan fillimisht Pulisiç dhe pastaj Mount në pozicion jashtë loje. Ajo vetë u desh të merrte një vendim në momentin e penalltisë në shtesën e ndeshjes, kur Adrian rrëzoi Abraham, një moment i diskutueshëm i zgjidhur me VAR por që gjithsesi nuk bind plotësisht.

Megjithatë, gabimi i saj i madh në këtë ndeshje ishte pikërisht te penalltitë dhe për më tepër te e vetmja e gabuar, ajo e barazimit që i dhuroi trofeun Liverpulit. Portieri Adrian ishte jashtë linjës së portës dhe sipas rregullave të reja të përditësuara këtë vit, duhej të ndërhynte dhe të përsëriste penalltinë. Një ndihmë që nuk i erdhi as nga VAR dhe që i dekretoi fitoren “me ndihmë” Liverpulit. /vipsport.al/