VIDEO / Siti vazhdon ecurinë rekord ndaj Bornmuth, ekipi i Guardiolës nis ndjekjen e Liverpulit

Mançester Sitit i është kthyer shumë shpejt fitoreve në Angli, duke lënë pas krahëve zhgënjimin e javës së kaluar në barazimin 2-2 kundër Totenhem. Skuadra e Pep Guardiolës ka fituar 3-1 në transfertë ndaj Bornmuth duke mos diskutuar asnjëherë suksesin në këtë duel, për të ruajtur ecurinë perfekte ndaj këtij rivali, me të cilin regjistron 9 fitore në 9 ndeshje të luajtura në Premier, si askush tjetër.

Dominimi i kampionëve në fuqi të Anglisë ishte i dukshëm që në pjesën e pare, ku fillimisht me Aguero e pastaj me Stërling gjetën dy herë rrjetën. Uillson ngushtoi diferencën në minutat shtesë të pjesës së parë për vendasit. Por goli i dytë personal i Agueros në këtë sfidë, në minutën e 64-t, bëri të qartë se si do të ishte fati i ndeshjes që ngjiti Sitin në vendin e dytë në klasifikim pas 3 javësh.

Tashmë ekipi anglez është vënë menjëherë në ndjekje të Liverpulit që është e vetmja skuadër në Angli që vazhdon me pikë të plota pas 3 javëve të para, ndërsa të gjithë të tjerët kanë lënë pikë rrugës. /vipsport.al/