VIDEO/ Shkëlqen sulmuesi që bëri lëmsh Kukësin, shënon golin e parë në kampionat

Merkaton e verës së shkuar, Kukësi afroi disa futbollistë dhe një ndër to ishte edhe braziliani Roxher Xhunior, por cilësitë e tij nuk e bindën trajnerin Armando Cungu. Kukësi e huazoi Roxherin te Kastrioti, aty ku futbollisti brazilian kishte hapësira të konsiderueshme dhe arriti të kthehet në protagonist duke qenë ndër golashënuesit më të mirë në Shqipëri.

Me fundin e kampionatit, Kukësi e riktheu në skuadër brazilianin dhe pretendonte se kishte një kontratë me të deri në përfundim të ndeshjeve të Ligës së Europës, por vetëm pak ditë u stërvit me Kukësin dhe u largua. Braziliani ka firmosur në Letoni me skuadrën e Rigës aty ku po kalon një moment mjaft të mirë.

Ditën e djeshme, Roxher ka gjetur edhe golin e parë me fanellën e Rigës duke i shënuar skuadrës së RFS-së në transfertë kur rezultati ishte 1-0 për kundërshtarin. Pas barazimit të Roxher, Riga shënoi edhe golin e dytë duke marrë një fitore të rëndësishme. /Erjon Allaraj-VipSport.al/