VIDEO / Reali “i vjetër” ndalet që në javën e dytë, e pëson nga… Guardiola

Real Madrid nuk ia ka dalë të mbyllë me pikë të plota dy javët e para të kampionatit, pasi skuadra e drejtuar nga Zinedin Zidan është ndalur sot në shtëpi nga Real Vajadolid. Zidan kishte vendosur që t’i jepte besim “të vjetërve” duke hedhur në fushë nga minuta e parë një formacion me të gjithë veteranët, përfshirë edhe emra si Hames e Bejl, por rezultati përfundimtar i sfidës e pa të merrte vetëm një pikë nga barazimi 1-1.

Skuadra u mundua të krijonte raste dhe dominoi në lojën e saj por nuk gjeti mënyrën për të hapur mbrojtjen kundërshtare si dëshironte. Një gjenialitet Benzema dukej se do t’i jepte tri pikët ekipit në minutën e 82-të, kur me një kthesë të shpejtë ai çoi topin në rrjetë.

Por entuziazmi në “Santiago Bernabeu” u shua në minutën e 88, kur Serxhi Guardiola shënoi golin e barazimit pas një kundërsulmi që bëri të heshtte stadiumi dhe dekretoi barazimin 1-1 që tregoi edhe një herë limitet që ka skuadra madrilene përballë ekipeve të mbyllura në mbrojtje. /vipsport.al/