VIDEO/ Rashica e nis sezonin aty ku e la, sulmuesi gol në Kupën e Gjermanisë

Në mbrëmjen e djeshme skuadra e Verder Bremen, në të cilën aktivizohet edhe sulmuesi shqiptar Milot Rashica, ka nisur rrugëtimin në Kupën e Gjermanisë. Përballë Verderit ishte ekipi modest i Delmenhorst.

Klubi i Bundesligës nuk tregoi aspak mëshirë, ndërsa triumfoi me rezultatin 1-6. Ndërkohë, nuk kishte se si të mos ishte protagonist edhe Rashica. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës realizoi golin e tretë të takimit. Kështu, 23-vjeçari e nis sezonin e ri aty ku e la, me rolin e protagonistit, teksa këtë sezon pritet edhe më shumë nga sulmuesi.

Rashica do të jetë arma kryesore e Verderit në kampionat duke udhëhequr repartin e ofensivës, ndërsa në sezonin e kaluar tregoi potencialin e tij. Ndërkohë, sytë nga Rashica i ka edhe Kosova, me dy ndeshjet kualifikuese të muajit shtator për fushatën e kualifikueseve të Euro 2020. /Egi Çabeli-VipSport.al/