VIDEO / Një mbrojtës që di të shënojë, Fidan Aliti gjen rrjetën dhe mund pretendentët për titull

Transferimi i Fidan Altit në muajin shkurt nga Skënderbeut te Kalmar ishte mundësia më e mirë që mbrojtësi të tregonte vlerat e tij në një kampionat më të fortë. Por futbollisti i përfaqësueses së Kosovës po e bën një gjë të tillë jo vetëm duke mbrojtur, por edhe duke shënuar gola të rëndë me skuadrën e Kalmar.

Sot, Aliti ishte protagonist i suksesit 2-1 të Kalmar ndaj AIK, një prej skuadrave më të forta në kampionat, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme që e shtyjnë jashtë zonës së ftohtë të klasifikimit ekipin e tij.

Pas zhvillimit të një goditje standarde, Aliti ishte i vëmendshëm në zonë për të shënuar si një sulmues i mirëfilltë, pasi nuhati vendin e duhur për të kthyer topin në rrjetë dhe për të çuar shifrat përkohësisht në 2-0. Një sukses me peshë në fushë kundërshtare që ngjiti Kalmar në kuotën e 18 pikëve, 2 larg zonës së rënies nga kategoria. Për Alitin, ky ishte goli i dytë në kampionatin suedez. /vipsport.al/