VIDEO MOVIOLA / Pamjet e reja, gafat e arbitrit që masakruan Partizanin

Partizani i ka dhënë lamtumirën Europës të enjten me një ndeshje të barazuar në Tiraspol përballë Sherif vendas, ku të kuqtë kanë dalë shumë të zemëruar nga fusha e lojës. Kampionët e Shqipërisë e kanë cilësuar të turpshme mënyrën së si është drejtuar kjo ndeshje nga kryesori Igor Pajac dhe episodet vendimtare të sfidës i japin të drejtë.

Episodi i golit që solli barazimin është padyshim ai ku gafat e gjyqtarit janë më të dukshme, edhe pse ka të tjera ku ai sinjalizonte për të ndërprerë lojën duke ulur ndjeshëm ritmin e saj apo duke ndalur disa mundësi të mira për Partizanin. Por ajo që ndodhi në minutat 62 dhe 63 të sfidës është me të vërtetë e rëndë dhe ndikoi direkt në fatin e duelit.

Gjithçka fillon me faullin e Boldor ndaj Muzhek, i cili nuk ishte kurrsesi i tillë. Nga pamjet filmike është e qartë se mbrojtësi rumun largon topin në ato momente, por përveçse sinjalizohet për faull, ndëshkohet edhe me karton të verdhë nga gjyqtari kroat i cili nuk u kursye në këtë takim.

Prej saj vjen goditja e dënimit dhe goli i shënuar nga N’Dijae. Futbollisti niset në pozicion të rregullt, pasi mbahet në lojë nga Solomon, por ai që nuk niset në pozicion të rregullt dhe pengon Brojën që të ndërhyjë për të larguar topin është Balima. Me rregullore është pozicion jashtë loje pasi ndikon në aksion dhe vijërojtësi e mendonte në të njëjtën mënyrë duke ngritur flamurin e tij.

Në pamjet e siguruara nga VipSport shihet qartë autori i golit që largohet i dëshpëruar pa bërë polemika, ashtu si shokët e tij të skuadrës, ndërsa gjyqtari shkon të konsultohet me asistentin. Ai largon të gjithë lojtarët dhe për çudinë e të gjithëve kthen vendimin që kishte marrë.

Të çuditur mbeten jo vetëm lojtarët e Partizanit, por edhe ata të Sherif të cilët vrapojnë të përqafohen pas fatit që u trokiti në derë me këtë ndihmë të papritur në një ndeshje që u kishte ikur nga kontrolli e po të mos ishte për dhuratat e Pajac, mund të përfundonte në mënyrë krejtësisht tjetër. /vipsport.al/