VIDEO / Monako e nis sezonin e ri njëlloj si të vjetrin, humbje e thellë për faj të Fabregas

Shumëkush mendonte se ky sezon do të ishte ndryshe për skuadrën e Monakos, një ekip i cili kërkonte shpagim pas gabimeve të edicionit të kaluar ku rrezikoi seriozisht që të binte nga kategoria. Por edhe ky vit ka filluar me të njëjtën mënyrë për skuadrën e Principatës, e cila ka zhgënjyer në shtëpi duke u mundur me shifrat 3-0 nga Olimpik Lion që konfirmohet një nga skuadrat më të forta në Francë.

Në këtë rezultat ka pak gisht edhe Cesk Fabregas. Mesfushori spanjoll i Monakos la në baltë skuadrën e tij me një gjest të pakontrolluar mirë në pjesën e parë të sfidës. Kur rezultati ishte 1-0 për Lionin, falë golit të Dembele, ai gaboi në një aksion sulmues duke ndjekur topin, pasi shkeli mbrojtësin kundërshtar. Gjyqtari konsultoi VAR dhe pas pamjeve filmike i tregoi futbollistit kartonin e kuq, duke lënë me 10 futbollistë Monakon që e kishte të vështirë të reagonte.

Pak minuta më vonë erdhi goli i dytë i Lion, me Depaj i cili shënoi me një predhë nga distanca që kaloi mes këmbëve të portierit kundërshtar. Më pas, Tusart në pjesën e dytë vulosi suksesin përfundimtar 3-0 që hapi kështu edhe këtë sezon në Ligën 1. /vipsport.al/