VIDEO / Manaj bëhet viktimë e absurditetit të VAR, japin penallti kundër tij pas 3 minutash

Teknologjia në futboll ka ndihmuar për zgjidhjen e rasteve të diskutueshme të një ndeshje, por ka sjellë edhe disa pasoja shumë të çuditshme si ajo e akordimit të një vendimi disa minuta pasi ka ndodhur, edhe pse loja ka filluar. Viktimë e këtij rregulli të çuditshëm është bërë këtë fundjavë edhe Rei Manaj, në ndeshjen që skuadra e tij, Albacete, humbi 3-0 në fushën e Almerias të Ivan Balliut në javën e parë të kategorisë së dytë spanjolle.

Sulmuesi shqiptar ishte titullar me skuadrën e tij dhe provoi në çdo mënyrë të shënonte, por në minutën e 62-të ai u bë protagonist i një episodi që do të kishte ndikim të madh mbi ndeshjen. Pas një goditje nga këndi, ai devijoi topin me dorë në zonën e tij, një episod i cili nuk u pa nga gjyqtari.

Loja vazhdoi normalisht, kishte edhe një zëvendësim si dhe një rivënie anësore, para se gjyqtari të sinjalizohej se po shihej ai moment i sulmuesit shqiptar. Loja u ndal kësisoj dhe vetë kryesori shkoi të shihte VAR, duke akorduar më pas, 3 minuta pas ngjarjes, penallti për ekipin e Almeria.

Një episod që kushtëzoi ndeshjen pasi Albacete nuk u tregua më aq e sigurt në lojën e saj dhe pësoi dy gola të tjerë duke humbur këtë sfidë. Manaj u zëvendësua në minutën e 77 të duelit, ndërsa në minutën e  87, në fushën e lojës hyri Balliu për ekipin kundërshtar, duke bërë debutimin e ti në radhët e kësaj skuadre. /vipsport.al/