VIDEO / Lokomotiv Zagreb i shqiptarëve fiton ndeshjen e dy ditëve, Kastrati jep spektakël

Lirim Kastrati po kalon një formë mbresëlënëse në radhët e Lokomotiv Zagreb dhe këtë e ka treguar më së miri sot duke ndihmuar skuadrën e cila ka në radhët e saj shumë futbollistë shqiptarë si që të fitonte ndeshjen më të çuditshme të kësaj jave në kampionatin kroat.

Dueli mes Lokomotiv Zagreb dhe Zapresiç filloi të luhej mbrëmë, por u ndërpre pasi një rrufe gjatë një stuhie, shkatërroi sistemin e ndriçimit të stadiumit. Kësisoj, ndeshja u ndërpre në minutën e 40. Ajo rifilloi sot në drekë me rezultatin 0-0 por u mbyll me suksesin 2-1 të Lokomotiv falë magjive të Kastratit.

Sulmuesi i Kosovës shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij me një aksion individual spektakolar në fundin e minutave të mbetura nga pjesa e parë e ndeshjes.

Më pas, në pjesën e dytë një goditje e tij brenda zonës u devijua në portë nga një mbrojtës vendas, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-1 për Lokomotiv. Uzuni ishte titullar gjatë të gjithë ndeshjes, ndërsa Mersinaj u aktivizua në minutat shtesë të takimit. /vipsport.al/