VIDEO / Liverpuli mund Arsenalin, natë rekordesh për të kuqtë

Liverpuli ka fituar edhe ndeshjen e tretë në kampionatin anglez të futbollit, këtë radhë duke diktuar ritmin e vet edhe përballë një ekipi me pretendime si Arsenali që kishte marrë pikë të plota në dy sfidat e para. Skuadra e Klop triumfoi me shifrat 3-1, duke vendosur një rekord të ri, pasi regjistroi fitoren e 12 radhazi në kampionat, si asnjëherë më parë që kur ai u kthye në Premier Ligë dhe duke barazuar rekordin e vjetër të vendosur nën Keni Daglish në vitin 1990.

Gjithçka filloi me golin e Matip, pas pasimit të Trent Aleksander-Arnold, i cili regjistroi kështu asistin e tij të 9 në 10 ndeshjet e fundit që ka luajtur në “Anfield”. Më pas, në pjesën e dytë e kishte radhën Salah të linte shenjë në sfidë me dy golat e tij, të parin me penallti, duke i dhënë fund çdo shprese të Arsenalit për të dalë me pikë nga stadiumi ndërsa goli i Torreira ishte thjesht sa për statistikë.

Kësisoj, pas tre javëve të para, “të kuqtë janë skuadra e vetme me pikë të plota, duke u shkëputur që tani nga të gjithë skuadrat e tjera në kërkim të një titulli kampion që u mungon prej kohësh. /vipsport.al/