VIDEO / Kaos në klasiken e Superiores, Tirana fiton mes rrebeshit të shisheve

Tirana është ngjitur në kreun e renditjes së Kategorisë Superiore pas një fitoreje 2-0 ndaj Vllaznisë vendas në një ndeshje që duhej të ishte spektakël por  kthye në një kaos pas protestave të tifozerisë vendase që mbushi fushën e lojës me shishe të hedhura nga tribunat duke ndërprerë disa herë ndeshjen.

Tifozët u acaruan pas disa vendimeve të gjyqtarin Enea Jorgji dhe nuk ngurruan të protestonin hapur ndaj tij duke hedhur shishe në terren. Pasi Tirana goditi dy herë në dy minuta me Halilin e Ngo, tifozët u munduan në të gjitha mënyrat që të ndërpritnin ndeshjen dhe ia dolën në disa çaste me hedhje shishesh në fushë që detyruan Jorgjin të largonte ekipet e të paralajmëronte se do të ndërpriste ndeshjen.

Loja vazhdoi mes kaosit protestave deri në vërshëllimën përfundimtare që u dha fund një sfidë që do të vazhdojë me siguri në zyrat e FSHF-së që me siguri do të bëjë gati një dënim model ndaj Vllaznisë.

Vllaznia-Tirana 0-2
58′ Halili, 59′ Ngo

Vllaznia: Sherri, Malota, Shehi, Shtubina, Gurishta, Krymi (77′ Anderson), Hygor (64′ Ramadani), Kruja, Emerson (64′ Marku), Lika, Zogaj.
Trajner: M. Jonuz

Tirana: Lika, Doka (80′ Muçi), Osmani, Imami, Hoxhallari, Batha, Çelhaka, Hasani, Kale, Halili (60′ Vangjeli), Ngo (90’+5′ Muça).
Trajner: A. Mema

KV: Gurishta. Emerson / Çelhaka, Hoxhallari, Imami

Gjyqtar: Enea Jorgji

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Tiranës.

90’+5’ Muça në fushë në vend të Ngo.

90’+4’ Mundësi e mirë për të shënuar e Hasanit i cili i ikën mbulimit të mbrojtjes dhe gjuan por çon sferën mbi traversë.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Goditje dënimi për Vllazninë, harkimi gjen Zogajn i cili me kokë gjuan por dërgon sferën jashtë.

88’ Shtubina ka mundësinë të hapë përsëri ndeshjen me një gjuajtje nga e djathta, sfera bllokohet nga mbrojtja vendase.

85’ Rifillon ndeshja pas 6 minutash ndërprerje me tifozët që vazhdojnë të hedhin shishe, por me Jorgjin që kërkon të mbyllë me çdo kusht sfidën.

84′ Ndërpritet përsëri ndeshje për hedhje shishesh në fushën e lojës.

82’ Ka rënë ndjeshëm ritmi në këto minuta dhe duket se edhe tifozët shkodranë nuk besojnë më te kthesa ndaj fillojnë të braktisin stadiumin.

80’ Mema largon nga fusha Dokën dhe aktivizon te riun Muçi.

78’ Anderson zë vendin në fushën e lojës të Krymit.

76’ Lika merr fundoren në të djathtën dhe harkon në zonë, por dërgon topin drejt e në duart e portierit të Tiranës.

73’ Vllaznia mundohet të shtyjë drejt portës së Tiranës në këto minuta, duke synuar që të rihapë ndeshjen, por pa arritur të krijojë gjuajtje në portën e Likës.

69’ Shtubina fiton një goditje dënimi pranë zonës pas një faulli të Hoxhallarit. Lika i Vllaznisë gjuan dhe Lika i Tiranës përgjigjet me një devijim të sferës mbi traversë.

64’ Zëvendësim i dyfishtë te Vllaznia me Emerson e Hygor që i lënë fushën e lojës Markut dhe Ramadanit.

60’ Mema largon nga fusha Halilin dhe aktivizon Vangjelin në minuta e mbetura.

59′ GOOOL Tirana, shënon Ngo. Tjetër harkim nga e majta që gjen Vllazninë e pavendosur, sulmuesi gjen me lehtësi golin duke shtyrë sferën në rrjetë.

58′ GOOOL Tirana, shënon Halili. Harkim nga e majta në zonën e Vllaznisë, gabim në kontroll i Gurishtës dhe Halili përfiton duke çuar sferën në rrjetë.

56’ Vllaznia krijon dy mundësi të mira, fillimisht me Zogajn e më pas me Likën, i cili gjuan nga distanca,.

55’ Rifillon ndeshja pasi edhe vetë futbollistët heqin shishet nga fusha që të nisë edhe një herë dueli.

51’ Ndërpritet ndeshja në Shkodër, protesta në stadium kundër vendimeve të Enea Jorgjit për një episod mes Likës dhe Hoxhallarit, fusha mbushet me shishe që vërshojnë nga tribunat.

48’ Imami provon me një gjuajtje nga 35 metra, sfera kalon mbi traversë pa shqetësuar Sherrin.

46’ Pas pak sekondash Hoxhallari ndëshkohet me karton të verdhë.

46’ Pjesa e dytë nis pa ndryshime te ekipet.

45’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin 0-0.

45’ Zogaj kalon dy lojtarë dhe shfaqet në pozicion ballor por gjuajtja e tij ndalet nga Imami.

43’ Protesta në kor kundër Jorgjit, këtë herë se dha faull pa sanksionuar me të verdhë Ngo për një goditje me bërryl ndaj Hygor.

37’ Emerson provon me një goditje dënimi direkte nga e majta, topi kalon pak mbi traversën e Likës.

36’ Çelhaka ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Zogajt.

35’ Tension në tribuna me sharje mes tifozëve dhe hedhje shishesh nga të dy palët, aq sa edhe policia ka filluar “negociatat” me ta.

30’ Hoxhallari del në sulm pasi gjen hapësira në krahun e tij, por gabon gjithçka në momentin e fundit duke gjuajtur shumë lart mbi traversë në vend që të pasonte për sulmuesi e tjerë që ishin bosh në ato momente.

27’ Karton i verdhë edhe për brazilianin Emerson, të cilin Jorgji e ndëshkon për simulim pas një përplasje me Dokën.

23’ Kartoni i parë i verdhë i përket Gurishtës pas një faulli ndaj Halilit.

20’ Goditje nga këndi sjellë një tjetër rrezik për portën kuqeblu. Topi përfundon te Osmani i cili gjuan, sfera devijohet nga një mbrojtës por kalon jashtë katërkëndorit të vendasve që rrezikojnë autogolin.

19’ Goditje nga jashtë zonës e Kale pas një sllallomi mes lojtarëve kundërshtarë, Sherri pret i vëmendshëm duke devijuar sferën në këndore.

17’ Osmani në panik largon topin për të evituar një harkim në zonë të Gurishtës që shpërtheu në krahun e majtë.

16’ Aksion me kombinime i Vllaznisë ku Emerson, Hygor e Zogaj nxjerrin Likën në pozicion gjuajtje ballore, por kapiteni i kuqebluve nuk gjen kuadratin me tentativën e tij.

12’ Dominon në mbajtjen e topit Vllaznia në këto minuta, duke shtyrë Tiranën drejt gjysmëfushës së saj për të mos lënë hapësira të rrezikshme.

8’ Protesta në stadium, Emerson shtyhet nga Çelhaka dhe rrëzohet në zonë. Për Jorgjin nuk është penallti.

8’ Goditje dënimi për Tiranën në të majtë të sulmit, Kale ekzekuton drejt portës por largon mbrojtja. Topi shkon te Batha i cili gjuan, por goditja e tij e devijuar edhe nga Halili përfundon në duart e Sherrit.

5’ Vazhdon të sulmojë Vllaznia në këto minuta të para, Gurishta harkon në zonë por Emerson me kokë nuk arrin të gjuajë dhe sfera kalon në fundore.

4’ Goditje dënimi për Vllazninë në krahun e majtë të sulmit që  harkohet nga Lika në zonë, por Osmani largon rrezikun me kokë.

1’ Fillon ndeshja në “Loro Boriçi” të mbushur me tifozë si rrallëherë në vitet e fundit.