VIDEO / Historike! Vllaznia për femra kalon grupet në Ligën e Kampioneve

Vllaznia për femra ia ka dalë më në fund të bëjë realitet një ëndërr që ndiqte prej shumë vitesh, atë të kalimit të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve. Skuadra shkodrane, ka dominuar grupin 10 të kualifikueseve të këtij turneu dhe me shumë meritë ia ka dalë që të sigurojë një vend mes skuadrave më të mira në kontinent.

Pasi fitoi dy ndeshjet ndaj rivaleve irlandeze dhe malteze, sot Vllaznia vihej përballë Gintra të Lituanisë, organizatore e këtij grupi dhe skuadra e 24 në renditjen e UEFA-s. Shkodraneve u mjaftonte edhe një barazim dhe luajtën të kujdesshme në prapavijë. Por ata u ndëshkuan nga pavëmendja e parë në minutën e 49 të sfidës kur Godçenko gjeti rrjetën duke i dhënë avantazhin ekipit vendas. Vllaznia u hodh në sulm dhe arriti të fitonte një penallti, të cilën Doçi me qetësi e transformoi saktësisht.

Nga ai moment, vajzat shkodrane administruan qetësisht shifrat dhe dërguan ndeshjen në rezultatin 1-1 që u preu biletën për herë të parë mes 32 skuadrave më të mira në Europë. /vipsport.al/