VIDEO / Fjalimi që la të gjithë botën e futbollit të çuditur, Kantona: Jemi për perënditë si miza për fëmijët

Erik Kantona nuk zhgënjen kurrë dhe di gjithmonë një mënyrë si të bëhet protagonist. Francezi, një personazh po aq interesant në fushën e lojës sa jashtë saj, sot mori “Çmimin e presidentit” nga kreu i UEFA-s, Aleksander Çeferin.

Por fjalimi i tij para sallës të mbushur me personazhe të botës së futbollit, nuk ishte nga ata të zakonshmit e sheqerosur dhe i la të gjithë me gojë hapur, pasi ishte një nga ato diskutimet filozofike për të cilat ish-futbollisti është bërë i famshëm edhe gjatë karrierës së tij.

“Ne jemi për perënditë njëlloj si mizat janë për fëmijët. Ata na vrasin për sport”, filloi legjenda e futbollit botëror i cili kishte ardhur i veshur në mënyrën e tij, duke dalë nga protokolli për aktivitetet të tilla.

“Shumë shpejt shkenca jo vetëm do të ndalojë plakjen e qelizave, por gjithashtu edhe do t’i riparojë ato duke na bërë të përjetshëm. Vetëm aksidentet, krimet dhe luftërat do të na vrasin. Por fatkeqësisht, krimet dhe luftërat do të shumëfishohen. Unë e dashuroj futbollin”, ishin fjalët e legjendës franceze me sallën që mbeti disi e heshtur pas këtyre fjalëve, para se ta shoqëronte e çuditur me duartrokitje atë. /vipsport.al/