VIDEO/ Dy traversa e gol fantazmë në një sfidë që zgjati dy orë e gjysmë, Tirana e Teuta ndajnë pikët

Tirana dhe Teuta kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e sotme që ka hapur javën e dytë të Kategorisë Superiore. Kjo sfidë, e cilësuar si kryendeshja e javës, ka dhuruar emocione sic pritej me tension, raste, dy traversa si dhe një ndërprerje e cila bëri që dueli të zgjaste mbi dy orë.

Tirana ka qenë më kërkuese dhe i është afruar më shumë golit, duke goditur dy herë traversën, ndërsa ekzistojnë edhe dyshimet për një gol fantazmë.

Megjithatë, Teuta rezistoi mirë deri në fund dhe ia doli të merrte një pikë të rëndësishme në transfertë, duke u konfirmuar si një ekip shumë cilësor dhe mes pretendentëve të këtij edicioni.

Tirana-Teuta 0-0 

Tirana: Lika, Doka, Osmani, Imami, Hoxhallari, Batha, Kobinah (54′ Çelhaka), Hasani, Kale, Halili (54′ Kërçikut), Ngo (69′ Dunga).
Trajner: A. Mema

Teuta: Frashëri, Todorovski, Arapi, Hoxha, Kuro, Avdyli, Aleksi, Kallaku (53′ Gashi), Vecaj (81′ Beqaj), E. Vila (62′ L. Vila), Nikaç.
Trajner: B. Shkëmbi

KV: Batha. Ngo, Doka / Vila, Kuro, Aleksi, Nikaç, Hoxha

Gjyqtar: Eldorjan Hamiti

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me barazimin pa gola.

90’+4’ Goditje dënimi për Teutën, sfera shkon te Nikaç pas një skeme por diagonalja e tij nuk gjen portën.

90’ Doka provon me një gjuajtje nga distanca, gjen gati Frashërin i cili pret topin.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

85’ Aksion model i Tiranës me Hasanin që shfaqet para portës, por gjuajtja e tij ndalet nga traversa.

81’ Zëvendësimi i fundit i Teutës, me Beqajn i cili zë vendin e Vecajt.

77’ Goditje nga këndi e Tiranës, Frashëri del jo shumë i sigurt por askush nuk përfiton nga kjo situatë.

70’ Tjetër goditje dënimi dhe tjetër rrezik për portën bardheblu. Këtë herë Nikacc është i pasaktë para katërkëndorit, ndërsa më pas sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

69’ Përfundon dueli për Ngo, i cili i lë vendin në fushën e lojës një tjetër sulmuesi, Dunga.

68’ Disa harkime radhazi në zonë e Tirnës nga krahët, por askush nuk gjen hapësirën të gjuajë drejt portës.

64’ Vendimtar Imami me një ndërhyrje para portës pas një goditje dënimi nga e majta e Teutës që rrezikon sa herë harkon sferën në zonë nga goditjet standarde.

62’ Tjetër zëvendësim te Teuta. Nga loja largohet Emiljano Vila, për t’i bërë vend Lorenco Vilës.

57’ Hoxha ndalon me faull një kundërsulm të rrezikshëm të Kale dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

54’ Zëvendësim i dyfishtë te Tirana me Kobinah e Halilin që i lënë vendin Kërçikut dhe Çelhakës.

53’ Teuta humb Kallakun për dëmtim, pasi mesfushori dëmtohet në një përplasje në mesfushë. Në vendin e tij në fushë futet Gashi.

50’ Tjetër këndore dhe këtë herë është Nikaç i cili gjuan me kokë, por nuk ka koordinimin e duhur për të rrezikuar portën.

49’ Goditje e rrezikshme nga këndi e Teutës, me Likën që del bosh por asnjë nga lojtarët e skuadrës durrsake nuk arrin të godasë në portë.

46’ Fillon pjesa e dytë pa zëvendësime mes dy skuadrave.

Deklaratat për SuperSport në pushimin e ndeshjes
Idi Batha: “Mungoi ajo që të bën të fitosh lojën, pra goli. Duhet që të bëjmë golin, po krijojmë volum loje, por nuk po finalizojmë siç duhet”.
Emiljano Vila: “Kishim dy raste të mira, pasi e kapëm Tiranën në kundërsulm. Mund të kishim qenë më të saktë në pasin e fundit dhe mund të shënonim. Besoj se mund ta arrijmë në pjesën e dytë”

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin pa gola, 80 minuta pas fillimit të saj për shkak të ndërprerjes si rrjedhojë e problemeve me ndriçimin në stadium. 

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

44’ Nga ana tjetër është Frashëri që del për t’i hequr topin nga këmbët Hasanit.

42’ Një top i kthyer mbrapa rrezikon portën e Likës i cili detyrohet të largojë topin me këmbë.

41’ Kallaku shfaqet në krahun e majtë dhe lëshon një gjuajtje të fortë, pro nuk gjen kuadratin duke kaluar sferën mbi traversë.

39’ Edhe Nikaç përfundon në listën e të ndëshkuarve me karton të verdhë pas një faulli ndaj Dokës.

36’ Protesta bardheblu pas një topi të Hasanit për Halilin. Ky i fundit rrëzohet në zonë pas kontaktit me Arapin, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

32’ Aksion i gjatë i bardhabluve me Ngo, i cili nis topin djathtas për Hasanin. Ky i fundit arrin ta kthejë në qendër por Frashëri është në pozicion dhe kontrollon topin.

30’ Edhe Ngo ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli të pakuptimtë ndaj Frashërit.

27’ Edhe Aleksi ndëshkohet me të verdhë, pas aksionit të radhës në krahun e majtë të Tiranës.

24’ Ndëshkohet me karton të verdhë edhe Kuro.

22’ Ndeshja rifillon me goditjen e dënimit të Hoxhallarit i cili godet në shtyllën e parë me Frashërin që largon sferën me vështirësi. Më pas një tjetër lojtar i Tiranës gjuan, por godet traversën.

Ora 19:55 Gjyqtari Hamiti ka mbledhur kapitenët dhe u ka kërkuar leje të fillojë ndeshjen edhe pa projektorët e ndezur përfundimisht duke i siguruar se do të ndizen të plotë në minutat në vazhdim.

Ora 19:46 Të dy ekipet po bëjnë nxemje në fushën e lojës, ndërsa edhe Shkëmbi me Memën janë pranë lojtarëve dhe japin udhëzime herë pas here për lojën që duhet të kryejnë.

Ora 19:42 Fillon ndezja e projektorëve të stadiumit edhe një herë për të rinisur ndeshjen. 

Ora 19:35 Pritet që ndeshja të rifillojë pas rreth 10 minutash. 

Ora 19:33 Mema u bën mbledhje lojtarëve në pankinën e Tiranës gjatë kësaj periudhe, ndërsa te Teuta po bëjnë nxemje.

Ora 19:30 Ndeshja është e ndërprerë prej rreth 5 minutash, ndërsa lojtarët po kryejnë nxemje derisa të ndizen plotësisht projektorët e stadiumit sipas udhëzimit të trajnerëve.

22’ Ikin dritat në stadium, ndërpritet loja deri në rindezjen e projektorëve.

21’ Batha ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Kallakut shumë pranë zonës së Tiranës.

16’ Kundërzbritje e shpejtë nga e majta e Teutës. Vila provon një diagonale por nuk është i saktë dhe sfera nuk rrezikon Likën.

13’ Goditje dënimi për Teutën në të majtë dhe drithërima në katërkëndorin bardheblu. Topi përfundon te Vecaj i cili gjuan me kokë, por nuk gjen kuadratin e Likës.

8’ Ngo dhe Kale mundohen të organizojnë një aksion sulmues nga e majta, asnjëri nuk gjen hapësirën për të dërguar topin në qendër, i mbyllur nga mbrojtja.

6’ Ndërhyrje shumë e gabuar e Vilës ndaj Dokës, gjyqtari i tregon kartonin e verdhë futbollistit të Teutës.

4’ Gjuajtja e parë nga distanca e Tiranës me Bathën, sfera përfundon shumë larg kuadratit.

1’ Fillon ndeshja në kryeqytet mes dy ekipeve pretendente.